Flamingo Revolution dhe narrative framing: dy breza dhe dy vizione mbi të ardhmen e Shqipërisë
Ajo që po ndodh mbi atë që ndodhi në Zvërnec, nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimin e një resorti në një zonë të mbrojtur.
Ajo që po ndodh mbi atë që ndodhi në Zvërnec, nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimin e një resorti në një zonë të mbrojtur. Në thelb, protesta ka nxjerrë në sipërfaqe një konflikt më të thellë, që ka kohë që po akumulohet në shoqërinë shqiptare: përplasjen mes dy brezave dhe dy vizioneve të ndryshme mbi zhvillimin, shtetin dhe mënyrën se si duhet të qeveriset vendi.
Nga njëra anë qëndron elita politike, ekonomike dhe mediatike e tranzicionit, e cila për më shumë se tre dekada ka dominuar vendimmarrjen publike. Pavarësisht dallimeve partiake, kjo elitë ka ndarë një konsensus të gjerë mbi modelin e zhvillimit: ndërtimin si motor ekonomik, investimet e mëdha si tregues progresi dhe përqendrimin e vendimmarrjes në duart e një numri të kufizuar aktorësh politikë dhe ekonomikë.
Nga ana tjetër po shfaqet një brez që nuk e ka përjetuar tranzicionin si projekt politik, por si realitetin e vetëm që ka njohur. Për këtë brez, problemet e Shqipërisë nuk lidhen me mungesën e ndërtimeve, por me mungesën e cilësisë së jetës, transparencës, meritokracisë dhe mundësive të barabarta. Ata nuk po kërkojnë vetëm ndalimin e një projekti në Zvërnec; po vënë në pikëpyetje vetë modelin që e bën të mundur një projekt të tillë.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e protestës. Ajo nuk është thjesht një debat mbi një resort apo mbi kufijtë e një zone të mbrojtur. Ajo është shprehja më e dukshme e një konflikti politik, kulturor dhe gjeneracional mbi mënyrën se si duhet të konceptohet zhvillimi në Shqipëri.
Megjithatë, qeveria dhe një pjesë e aktorëve të tranzicionit po përpiqen ta reduktojnë këtë debat në një pyetje shumë më të ngushtë: a jeni pro apo kundër zhvillimit? Në këtë mënyrë, konflikti mbi modelin e qeverisjes zëvendësohet me një debat artificial mbi zhvillimin, ndërsa kërkesat më të gjera të protestuesve mbeten jashtë vëmendjes publike.
Kjo nuk është hera e parë që përdoret kjo strategji. Për referencë, mund të përmendim të paktën dy raste:
- Protesta për Parkun e Liqenit nuk ishte kundër ndërtimit të këndit të lojërave për fëmijë, por kundër përdorimit të betonit në park, pasi kjo do të normalizonte përdorimin e tij edhe në projekte të tjera të ardhshme. Megjithatë, diskutimi u copëzua dhe protesta u paraqit sikur ishte kundër vetë këndit të lojërave, pra kundër "zhvillimit". Komuniteti u përça. Vendosja e komunitetit kundër vetvetes dhe legjitimimi i njërës palë me argumentin se "kështu e duan njerëzit" e bëri të mundur realizimin e projektit. Betonizimi në park me kulla, ndodhi.
- Protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e cila fillimisht synonte ruajtjen e tij ose, në rastin më të keq, ndërtimin e një godine të re me të njëjtën gjurmë dhe arkitekturë duke ruajtur territorin ekzistues, u trajtua në të njëjtën mënyrë. Kundërshtarët u etiketuan si njerëz kundër zhvillimit dhe komuniteti u përça. Në fund, teatri u shemb, duke i hapur rrugë një ndërtese të re dhe kullave në territorin e tij.
Duke u kthyer te zhvillimet e tanishme, edhe mbi protestën aktuale ka tentativa nga qeveria, fillimisht edhe PD e media tradicionale, të copëzohet diskutimi mbi zhvillimin apo jo të Zvërnecit, duke etiketuar protestuesit sikur janë kundër zhvillimit. Jo, shumica e tyre nuk janë kundër zhvillimit, përkundrazi. Pyetja që shtrojnë ata është mbi menyrën e zhvillimit, dhe këtu kemi dy vizione komplet të kundërta në formë dhe përmbatje.
Modeli aktual qeverisës, i mishëruar qartë në vizionin e Kryeministrit Rama, nuk përputhet më vizionin e brezit që po proteston dhe për këtë arsye ata kërkojnë largimin e Kryeministrit Rama dhe të patericave politike e mediatike që e mbështesin.
Në përmbajtje, vizioni i tij – që përbën edhe programin kryesor qeverisës dhe që kanalizon pjesën më të madhe të kapitalit publik dhe privat – lidhet me ndërtimin. Për këtë arsye, turizmi, si sektor ekonomik dhe si justifikim politik, shërben si mjeti më i përshtatshëm për realizimin e këtij vizioni. Lloji i zhvillimit që promovon ky model është ai i projekteve të mëdha, mundësisht me kapital të huaj dhe marka ndërkombëtare, në funksion të asaj që quhet "turizëm elitar", shpesh në kurriz të hapësirave publike, zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare.
Në formë, roli tradicional i një qeverie socialiste, si gjithëpërfshirëse dhe mbrojtëse e interesave të shtresës së mesme dhe grupeve më të pambrojtura, është zëvendësuar nga një model përjashtues, në dobi të një grupi të ngushtë ndërtuesish dhe sipërmarrësish. Ky model funksionon me pak transparencë, në mënyrë klienteliste dhe përmes përshtatjes së legjislacionit sipas nevojave të projekteve të caktuara.
Për fasadën e këtij modeli është kujdesur personalisht vetë Kryeministri, përmes marrëdhënieve me arkitektë të njohur ndërkombëtarë dhe promovimit të projekteve të mbushura me gjelbërim virtual në vizualizimet 3D, por që shpesh rezultojnë shumë larg premtimeve fillestare. Mjafton të krahasohet Green Coast në prezantimet 3D me realitetin në terren.
Në thelb, edhe Berisha ndan një vizion të ngjashëm zhvillimi. Ndonëse nuk zotëron të njëjtin nivel komunikimi publik si Rama, ai gjithashtu ka mbështetur projekte të mëdha në kurriz të zonave të mbrojtura, në favor të të njëjtëve aktorë ekonomikë.
Vizioni që artikulohet nga protesta është krejtësisht i ndryshëm. Në përmbajtje, ai kundërshton ndërhyrjet masive në zonat e mbrojtura dhe favorizimin e ndërtimeve intensive. Për këtë brez, një zonë e mbrojtur duhet të mbetet e mbrojtur, pavarësisht nëse prona është private apo publike. Nuk kemi të bëjmë me analfabetizëm funksional të tyre, siç pretendohet shpesh, por me një sistem tjetër vlerash dhe prioritetesh.
Po ashtu, protestuesit shprehin pakënaqësi për mënyrën se si hapësira publike është tjetërsuar nga ndërtimi i pakufizuar i kullave në Tiranë dhe në bregdet. Ata nuk duan që qyteti i tyre të jetë një kantier i përhershëm ndërtimi, por kërkojnë cilësi jetese, akses dhe mundësi reale për të ndërtuar jetën e tyre, ku blerja e një apartamenti të mos duket një utopi.
Në vend të zhvillimit ekskluzivisht vertikal, ata kërkojnë investim në cilësinë horizontale të jetës urbane: më shumë hapësira publike, më shumë gjelbërim real dhe jo pyje orbitale virtuale; një sistem funksional të menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza; transport publik modern dhe efikas; si dhe akses të garantuar në ujë të pijshëm, si një e drejtë themelore dhe jo si një premtim elektoral i përsëritur prej 35 vitesh.
Në formë, vizioni i tyre është ai i një shteti transparent, që nuk dëbon komunitetet lokale nga tokat e tyre, por garanton të drejtën e pronës dhe lirinë për të vendosur vetë mbi të. Ata kërkojnë një shtet në shërbim të të gjithëve dhe jo një shtet privat në funksion të një grupi të vogël përfituesish.
Ky është kontrasti më i madh që protesta ka nxjerrë në pah: dy botë, dy vizione dhe dy mënyra të ndryshme për të kuptuar shtetin, zhvillimin dhe pronën publike.
Por edhe këtu kemi dy vizione mbi mënyrën se si duhet ecur përpara:
- Protestuesit, kryesisht nga brezi Gen Z, e shohin problemin si sistemik dhe nuk u besojnë më aktorëve të vjetër politikë që personifikojnë status quo-në. Ata kërkojnë largimin e tyre, rregulla të barabarta loje dhe një model të ri qeverisjeje.
- Elita e tranzicionit, megjithëse e goditur nga kjo lëvizje, kërkon ta kufizojë debatin vetëm te projekti i Zvërnecit, duke injoruar problemet sistemike të shtetit: mungesën e konkurrencës, meritokracisë, drejtësisë dhe transparencës, si dhe klientelizmin e përhapur.
Është e qartë se modeli aktual, i cili ka lënë jashtë vendimmarrjes pjesën më të madhe të shoqërisë, nuk mund ta shmangë për shumë gjatë këtë debat. Pavarësisht përpjekjeve për ta anashkaluar ose deformuar atë, me ndihmën e një pjese të medias së ndërtuar gjatë viteve të tranzicionit, kërkesat që po artikulohen sot kanë natyrë shumë më të thellë sesa një kundërshtim ndaj një projekti të vetëm.
Të rinjtë e sotëm e perceptojnë veten si qytetarë europianë në vlera dhe perspektivë. Dhe këtë po e kërkojnë tani, në shesh, duke u ri-lidhur me të afërmit e tyre që këto standarde i kanë gjetur në diasporë.

